EUKARIOTËT: BIMËT
Klasifikimi i bimëve
Mbretëria e bimëve përfshin organizma eukariot fotosintetikë shumëqelizorë. Qelizat bimore kanë mur qelizor dhe kloroplaste më tepër se qeliza shtazore. Muri qelizor u jep formë të qëndrueshme qelizave bimore dhe ndihmon për mbështetje te bimët. Kloroplastet janë organele që gjenden si te protistët njëqelizorë edhe tek qelizat e gjetheve dhe tek kercelli i  bimëvë. Përmbajnë klorofil dhe funksioni i tyre është sinteza e lëndëve organike duke u nisur nga lënda inorganike dhe energjia diellore, me fjalë të tjera në kloroplaste kryhet procesi i fotosintezes. Ky është proçesi kryesor që dallon bimët nga kafshët. Kafshët janë gjallesa hetertrofe kurse bimët gjallesa autotrofe, ndryshe nga kafshët bimët nuk zhvendosen në kërkim të ushqimit.  Mendohen që bimët  e steres kanë rrjedhur nga algat e gjelbëra të cilat kanë pësuar disa përshtatje në varësi edhe të kushteve të mjedisit tokësorë. Ndër këto përshtatje përmendim :
Mbulimin e bimëve nga indi epidermik i cili siguron mbrojtje nga dehidratimi dhe veprimi i rrezeve ultravjollcë.
Shfaqjen dhe specializimin e indeve përçuese  për trasportin e lëndëve të nevojshme duke çuar në diferencim të pjesëve të bimëve për mbështetje  dhe rritje në lartësi.
Në bazë edhe të pranisë së indeve përçuese mbretëria e bimëve ndahet në:
Bimë joenëzore
(bryobionta ose briofita).
Bimë enëzore
(trakeofita ose Cormobionta)
Briofita (bimët joenëzore)
Bimë të gjelbra shumëqelizore;
jetojnë në vende me lagështirë.
Paraqesin alternim breznish  me gametofit (faza haploide) më të zhvilluar se sporofiti (faza diploide),
mungojnë indet përcuese dhe
riprodhohen me spore dhe me gametë.
Mendohet se rrjedhin nga algat e gjelbra por që në mënyrë graduale i janë përshtatur mjedisit tokësor. Këto lloje bimësh kanë dy klasa: klasën e myshqeve dhe klasën e hepatikëve.
Klasa e myshqeve
përfshin rreth 16.000 lloje
me kërcell dhe gjethe me trashësi një ose dy qelizore.
Nuk kanë rrënjë por rizoide shumëqelizore. Përfaqësuesit kryesorë të myshqeve mund të përmendim: Sphagnum; Funaria; Polytrichium etj.
Cikli jetësor i një myshku
Uji u shërben myshqeve dhe hepatikëve për të siguruar më lehtë lëndët e nevojshme por edhe për riprodhimin seksual. Riprodhimi seksual kryhet me formimin e një organizmi të ri nga bashkimi i dy qelizave riprodhuese. Qeliza vezë (femërore) shkrihet me spermatozoidin (mashkullor) dhe formohet zigota. Shkrirja e dy gameteve mashkullorë e femërorë si dhe formimi i zigotës quhet pllenim. Spermatozoidi i një myshku apo hepatiku duhet që të notojë për të arritur qelizën vezë dhe për ta pllenuar atë. Nga zigota rritet një kërcellth në majë të të cilit formohet një kapsulë kafe që përmban sporet. Kur kapsula çahet, sporet shpërndahen nga era dhe kur bien në mjedis me lagështi japin bimë të reja. Nga mbirja e disa sporeve formohen bimë mashkullore që prodhojnë spermatozoid, kurse nga të tjera bimë femërore që prodhojnë vezë.
Klasa e hepatikëve
përfshin rreth 10.000 lloje.
Kanë trup të sheshtë në formë ylli ose të degëzuar i përbërë nga një shtresë qelizash të gjelbra të vendosura rrafsh me tokën.
Nuk kanë as kercell as gjethe.
Nuk kanë rrënjë të vërteta por rizoide një qelizore. Përfaqësues kryesor të hepatikëve përmendim gjinitë: Marchantia; Sphaerocarpus etj.
Trakeofita   ose cormobionta (bimët enëzore)
Bimë me inde të vërteta përçuese: ksilemën dhe floemën. Ksilema transporton ujin dhe kriprat minerale, kurse floema lëndët organike.
Kanë sporofit (fazë diploide) të ndarë në organe themelore të përhershme (rrënjë, kërcell dhe gjethe) por edhe organe riprodhuese të diferencuara mirë.
Ndahen në dy grupe të mëdha : Pteridofita (bimët enëzore pa farë); Spermatofita (bimë me farë).
Pteridofite (bimët enëzore pa farë) ndahen në:
 1)klasa e psilofiteteve;  2)klasa e likopodëve;  3) klasa e këputjeve dhe 4)klasa e fiereve.
Klasa e psilofiteteve
në përgjithësi mungojnë gjethet ose i kanë të vogla dhe të thjeshta,
mungojnë rrënjët, por kanë  rizoide që thithin ujin dhe kripërat minerale; sot jetojnë vetëm katër lloje; gjinia Psilotum e cila ka kërcej të gjelbër tek të cilët kryhet fotosinteza, me struktura sporë-prodhuese në majë që quhen sporangje.
Njihen disa lloje fosile si:Rhynia,Psilophyton etj.
Klasa e likopodëve.
Likopodët kanë kërcell të veshur me gjethe në formë luspash.
Në majë të kërcellit ndodhen sporangje në formë koni.
Nga rizoma dalin rrënjë të vërteta për absorbim.
Përfaqësues kryesor është gjinia Likopodium etj.
Klasa e këputjeve.
Aktualisht përfaqësohet nga gjinia  Equisetum në rreth 30 lloje.
Bimë me gjethe të vogla të vendosura në formë qerthulli.
Kërcellin e kanë të ndarë në segmente.
Fotosinteza kryhet nga kërcejt pasi gjethet janë shumë  të reduktuara
. Lloji më i njohur është Equisetum arvense ose bishti i kalit. Nga rizomat në pranverë dalin kërcejt riprodhues të cilat kanë në majë sporangjet tek të cilët formohen sporet. Muret e qelizave të këtyre bimëve kanë përmbajtje të lartë silici.
Klasa e fiereve.
Sporofitë me përmasa të konsiderueshme përbëhen nga rizoma që rritet përgjithësisht horizontalisht mbi terren dhe jep gjethe të përbëra të cilat në pjesën e poshtme të tyre përmbajnë sporangje në të cilat formohen sporet. Kur sporangu çahet sporet përhapen me anë të erës dhe kur gjejnë  kushte të përshtatshme japin një strukturë në trajtë gjetheje (gametofitin) tek i cili ndodhen organet mashkullore dhe femërore. Në prani të ujit spermatozoidi noton dhe pllenon qelizën vezë të vendosur në pjesën e poshtme të gametofitit. Nga zigota fillon të formohet një bimë e re fieri  dhe gametofiti shkatërrohet. Duke analizuar ciklin jetësor të fiereve shohim që sporofiti është më i zhvilluar se gametofiti dhe mund të jetojë edhe disa vjet ose të arrijë lartësi deri në 25 m ndërsa gametofiti është i vogël dhe mund të jetojë deri në disa javë. Pra fierët janë më të zhvilluara se briofitët pasi tek këto të fundit gametofiti mbizotëron dhe sporofiti thuajse jeton si parazit mbi gametofit.
                            Spermatofita (bimët me farë)
Në embrion në ndryshim nga pteridofitët maja e kërcellthit dhe e rrënjëve janë të vendosura në krahë të kundërt. Nga rrënjëza formohet një rrënjë kryesore. Në alternimin e breznive faza gametofite është shumë e reduktuar, megasporangu është mbyllur në një mbështjellje dhe formon vezoren, embrioni i ri zhvillohet drejtpërsëdrejti në bimën nënë. Janë zhvilluar shumë sisteme për formimin e farave. Fara është një strukturë e ndërlikuar ku embrioni i mbrojtur nga një mbështjellë, qëndron edhe me vite deri sa kushtet të jenë të përshtatshme për mbirjen e tij.
Spermatophyte
(bimët me farë) ndahen në:
gymnospermae
(bimë me farë të zhveshur) dhe angiospermae (bimë me farë të veshur).
Bimët me farë të zhveshur (gymnospermae).
Kanë rrënjë kërcell dhe gjethe.
Gjethet janë në formë halash ose luspash.
Kërcelli i lartë dhe i drunjëzuar.
Nuk kanë lule tipike.
Gjethet qëndrojnë zakonisht 2-5 vjet.
Përfshijnë spermatofitët më të hershme. Organet riprodhuese i kanë të vendosura në boçe. Boçet janë dy llojesh: mashkullore dhe femërore. Boçet femërore (te pisha) janë të mëdha dhe përbëhen nga luspa në bazën e të cilave vendosen dy vezëza. Kur kokrrizat e pjalmit vijnë me anë të erës hyjnë përmes hapsirave midis luspave dhe ndodh pllenimi i vezëve. Nga pllenimi formohet zigota pas ndarjes së të cilës formohet embrioni brenda farës. Pas pllenimit, luspat mbyllen për t'u hapur pasi farat të piqen dhe të bien poshtë, dhe kur gjejnë kushte të përshtatshme mbijnë për të dhënë një bimë të re. Pllenimi është i njëfishtë. Boçet mashkullore janë më të vogla se ato femërore por më të shumta në numër. Cdo kokrrizë pjalmi është e paisur me dy fshikëza të mbushura me ajër. Nga çdo kokrrizë pjalmi formohen dy anterozoide ku njëri pllenon qelizën vezë, tjetra tretet.
Përhapja e bimëve me farë të zhveshur: 
Bimët farë zhveshur janë shumë të përhapura në vendin tonë. Ndër më të njohurat përmendim pisha e zezë (Pinus nigra); rrobulli (Pinus heldreichi); bredhi i bardhë (Abies alba); dëllinja e kuqe (Juniperus oxycedrus); dëllinja e zezë (Juniperus comunis).
BIMËT ME FARË TË VESHUR   (ANGIOSPERMAE)
Quhen ndryshe edhe antofite ose fanerogame.
Janë bimë me lule dhe fara të mbyllura nga një vezore që shndërrohet në frut.
Janë bimë drunore dhe barishtore.
jetojnë në dete, ujra të ëmbla, livadhe, pyje kullota etj.
Pllenimi tek angiospermaet  është i dyfishtë.
Organet e një bime farëveshur janë rrënja, kërcelli dhe gjethja. Quhen organe vegjetative pasi kryejnë të gjitha proçeset jetësore me përjashtim të riprodhimit seksual.Lulet  janë organe të specializuara për riprodhim seksual. Lulja përmban thekë (organ mashkullor) dhe pistil (organ femëror). Rënia e kokrrizave të pjalmit mbi krezën e pistilit quhet pjalmim. Angiospermat në bazë të numrit të kotiledoneve ndahen në:
klasën e monokotiledoneve dhe
klasën e dikotiledoneve.
Përveç  numrit të kotiledoneve ato ndryshojnë nga indet e rrënjëve dhe kërcellit nga nervurat e gjetheve nga numri i ndryshëm i pjesëve të lules etj.

KAFSHET E THJESHTA
KAFSHET E KOMPLIKUARA
ORGANIZMAT DHE MJEDISI