EUKARIOTET. KAFSHET E KOMPLIKUARA
TIPI I KEMBENYJTUARVE
Tipi i artropodëve përmbledh insektet, merimangat, shumëkëmbëshat, gaforret. Të gjitha kafshët që i përkasin këtij grupi kanë këto karakteristika të përgjithshme:
- Këmbë të nyjtuara.
- Ekzoskelet kitine (substancë organike e azotuar,e lidhur me karbonat kalciumi).
- Trup të segmentuar, metamerik.
- Zemër kurrizore (të vendosur mbi aparatin tretës) dhe sistem nervor barkor (me nerva kryesore të vendosura nën aparatin tretës).
Arsyet e zhvillimit të madh të arthropodëve janë:
- Kompleksiteti organeve të shqisave u lejon Arthropodëve të reagojnë me shpejtësi ndaj ngacmuesve të jashtëm.
- Muskulatura e zhvilluar dhe segmentimi i gjymtyreve lejojnë lëvizje të koordinuara mirë, për kërkimin e ushqimit si dhe për largimin shpejt nga rreziku.
- Struktura e trupit u lejon atyre të jenë aktivë por edhe lehtësisht të përshtatshëm me mjedisin.
- Ekzoskeleti i mbron, i jep formën trupit, ruan dhe mbron organet e brendshme. Prania e ekzoskeletit kufizon rritjen në përmasa të mëdha të trupit.
Sistemet e organeve te arthropodët:
Sistemi nervor-me ganglionet e mbifytit të zhvilluara.
Aparati tretës-përgjithësisht përbëhet nga zorra e përparme, zorra e mesme dhe ajo e pasme.
Qarkullimi i gjakut-i hapur. Gjaku del nga zemra me anë te aortës dhe kthehet nëpërmjet ostjeve.
Frymëmarrja-me velëza (artropodët e ujit) ose me trake (artropodët që jetojnë në tokë).
KLASAT KRYESORE TE TIPIT TE KEMBENYJTUARVE:
Araknidet:Bëjnë pjesë:merimangat, akrepat, këpushat, rriqërat.Kane4 çifte këmbësh.Me trake ose mushkëri.
Nuk kanë antena.Sy të thjeshtë.Trup të ndarë në dy pjesëRiprodhim seksual.Gaforret:
Bëjnë pjesë: gaforret, karkalecat e detit, dafniet,ciklopet.5 çifte këmbëshFrymëmarrja me branshi.2 çifte antenash.Sy të përbërë.Trup të ndarë në dy pjesë (kokë-gjoks dhe barku).Riprodhim seksual.Kandrrat:
Bëjnë pjesë: karkalecat, brumbujt, fluturat, mizat, milingonat.3 çifte këmbësh, 1-2 çifte flatrashFrymëmarrja me branshi.1 çift antenash.Dy sy të përbërë,3 të thjeshtë.Trup të ndarë në tre pjesë.Riprodhim seksual.
TIPI I LEKUREGJEMBOREVE
Karakteristikat e këtij grupi janë:
- individët e rritur kanë simetri rrezore,
- format larvore kanë simetri dyanësore.
- Kanë trupin të mbuluar nga një strukturë që quhet dermatoskelet.
- Dermtoskeleti përmban gjemba mbrojtës (të gjatë e të holle ose të shkurtër). Këtu bëjnë pjesë iriqi i deti, yjet e detit, trangulli i detit etj.
- Kanë aparat tretje të komplikuar.
- Skeleti i brëndshem përbëhet nga pllaka gëlqerore.
- Kanë një sistem të komplikuar të qarkullimit të ujit , i lidhur me zgjatime këmbësh në trajtë tubi nga ana e poshtme, të cilat përfundojnë me një ventuzë të vogël.
Qarkullimi i ujit shërben për:
zhvendosjen
fiksimin
kapjen e ushqimit.
Tiparet e përbashkëta të lëkurëgjemborëve me kordatët janë:
simetria dyanësore (gjatë fazës larvore).
origjina e njëjtë e gojës
zhvillimi i celumit.
TIPI I KORDATËVE
Kordatët dallohen nga kafshët e tjera nga tre tipare themelore:
1.Prania e kordes (notokorda) te pakten ne fazat embrionale.
2.Te çarat në faring (të paktën në fazat embrionale).
3.Prania e gypit shpinor qe shtrihet mbi korden shpinore pergjate gjithe trupit.
Ndër të gjithë kordatët interes më të madh për njeriun kanë vertebrorët pra ato kafshë të cilat kanë shtyllë kurrizore. Vertebrorët ndahen në shtatë klasa:
- Peshqit pa nofulla (Ciclostomi ose agnatha).
- Peshqit kercor (Condriti)
- Peshqit kockor (Osteitti)
- Amfibët
- Zvarranikët
- Shpendët
- Gjitarët
Vertebrorët, përveç karakteristikave të perbashkëta me të gjithë kordatët paraqesin edhe tipare të tjera si:
Endoskeleti (kërcor ose kockor)
Dallohet koka dhe trungu. Ne disa prej tyre dallohet qarte zona e qafes dhe e bishtit.
Vertebroret kane qarkullim gjaku te mbyllur, me zemer barkore te vendosur ne pjesen e perparme te trungut.
Rruazat e kuqe te vertebroreve përmbajnë hemoglobinë.
Në pjesën më të madhe të vertebrorëve nga truri dalin 12 cifte nervash, ndërsa nga palca kurrizore një numër i ndryshueshëm nervash kurrizore të cilat përbëjnë sistemin nervor periferik.
Në kokë vendosen organet e shqisave: sytë, veshët, hunda.
Aparati tretës është i zhvilluar, në formën e një tubi të gjatë me përdredhje më të cilin lidhen dy gjëndra, mëlçia dhe pankreasi.
Sistemet dhe aparatet e ndryshme të trupit të vertebroreve .
Në trupin e vertebrorëve gjejmë sistemet e mëposhtme, të formuara nga organe të specializuara mirë, të cilët kontribuojnë në kryerjen e funksioneve të caktuara:
Sistemi mbulues-përfshin mbulesa të jashtme të trupit, me anekse lëkurore të ndryshme si luspa, pendë, qime.
Sistemi muskulor-përfshin muskujt skeletorë nëpërmjet të cilëve trupi kryen lëvizjet (muskujt përgjegjës për lëvizjet e vullnetshme) dhe muskujt e organeve (muskujt përgjegjës për lëvizjet e pavullnetshme) të cilat realizojnë punën e organeve të tilla si veshkat, mëlçia, mushkëritë etj.
Sistemi skeletor-përbëhet nga kockat dhe kërcet që shërbejnë për t'i dhënë formë dhe mbështetje trupit.
Aparati tretës-përbëhet nga të gjitha organet e specializuara për marrjen dhe shndërrimin e të gjitha substancave ushqimore në të tretshme që të mund të thithen e të përdoren nga qelizat e indeve të ndryshme të organizmit.
Aparati i frymëmarrjes- përbëhet nga branshi ose mushkëri me struktura anekse për shkëmbimin e gazeve me mjedisin.
Aparati i qarkullimit të gjakut-përbëhet nga zemra dhe enët e gjakut. Funksioni i tij është transporti i substancave të ndryshme në pjesë të ndryshme të trupit.
Aparati i eksretimit-përfaqësohet nga veshkat dhe fshikëza e urinës dhe ka funksionin e largimit nga trupi të substancave që dalin nga metabolizmi qelizor.
Sistemi endokrin-përbëhet nga gjendra të cilat prodhojnë hormone, substanca të domosdoshme për funksionimin normal të substancave të tjera.
Sistemi nervor-përfshin trurin, palcën kurrizore, nervat, organet e shqisave të specializuara. Është ky sistemi më i zhvilluar i vertebrorëve.
Aparati i riprodhimit-përfaqësohet nga organet e riprodhimit mashkullore dhe femërore.
PESHQIT
Të gjithë peshqit kanë disa karakteristika të perbashkëta:
Janë kafshë me gjak të ftohtë.
Marrin frymë me veleza.
Shumica kanë trup të mbuluar me luspa (funksion mbulues, mbrojtës).
Pendet ndihmojnë në notim (pende teke e çifte).
Vija anësore, organ i ndijimit.
PESHQIT PA NOFULLA (AGNATHIA)
- Quhen ndryshe gojë rrumbullakët (ciclostomi).
- Janë shumë primitivë.
- Nuk kanë luspa,
- nuk kanë nofulla por disa dhëmbë brinorë.
- Jetojnë në ujra të ëmbla dhe të kripura.
- Kanë gojë rrethore, si ventuzë, pa nofulla që shërben për tu fiksuar në trupin e peshqeve bujtës dhe thithjen e gjakut apo lëngjeve indore.
- Kanë skelet kërcor (kartilagjinor).
PESHQIT KARTILAGJINORE
Bëjnë pjesë peshkaqenët, mila e detit, peshqit elektrike, rajat.
- Kanë nofulla,
- luspa,
- dhëmbë dhe
- pendë çifte.
- Kanë skelet kërcor.
Peshkaqenët-janë grabitqarë të të gjitha kafshëve që jetojnë në oqean.Rajat-kanë trup të shtypur si gjethe dhe jetojnë në fund të detit. Ushqehen me peshq dhe jovertebrorë.
PESHQIT KOCKORE
Skeleti përbëhet nga kocka. Bëjnë pjesë krapi, qefulli, trofta, sardelia etj.
- Shumica kanë luspa ose lëkure të mbuluara me shtresa mukoze, të cilat mbrojnë peshqit nga infeksionet, grabitqarët dhe lehtësojnë notimin.
- Velëzat mbulohen nga kapakë mbrojtës.
- Kanë fshikëz notimi.
- Pllenimi është i jashtëm. Femra lëshon vezët në ujë e mbi to meshkujt depozitojnë spermatozoidet.
- Kanë zhvillim të drejtë.
AMFIBET (Amphibia-jetë e dyfishtë)
Bëjnë pjesë thithlopat, salamandra, bretkosat, tritonët dhe amfibë pa këmbë në trajtë krimbi. Jetojnë në ujë dhe në tokë. Kanë zhvillim të zhdrejtë dhe riprodhim aseksual. Larvat ngjajnë me peshqit. Faza larvore jeton në ujë dhe merr frymë me velëza. Me metamorfozë shndërrohen në individë të rritur. Forma e rritur jeton në tokë dhe merr frymë me mushkëri. Amfibët dallojnë nga kafshët e tjera nga këto tipare:
Kanë trupin të veshur nga një lëkurë e hollë, e lëmuar, përgjithësisht e lagur pa formacione të tilla si luspa, qime apo pendë.
Këmbët, kur janë të pranishme, janë pëllëmbore.
Gishtat nuk kanë kthetra.
Format larvore janë barngrënëse, format e rritura përgjithësisht mishngrënëse.
Frymëmarrja bëhet me velëza tek larvat dhe me mushkëri tek individët e rritur.
Zemra ka dy dhoma gjatë fazës larvore, tre te individi i rritur. Kanë qarkullim gjaku të zhvilluar mirë.
Forma larvore shndërrohet në individ të rritur nëpërmjet metamorfozës.
Dy grupet më të mëdha të amfibëve që jetojnë sot janë amfibët me bisht (salamandrat, tritoni, aksoloti) dhe amfibët pa bisht (bretkosat, thithlopat).
ZVARRANIKET
Në klasën e zvarranikëve bëjnë pjesë: hardhucat, krokodilët dhe kameleonët. Tiparet e përgjithshme të zvarranikëve janë:
- Trup të mbuluar me luspa, që mbrojnë sipërfaqen lëkurore.
- Lëkurë të thatë pa gjendra mukoze dhe e trashë, e cila nuk lejon humbjen e ujit.
- Kthetra, kur janë të pranishëm gjymtyrët, shërbejnë për t'u ngritur, gërrmuar dhe për të ecur në terrene të ndryshme.
- Mushkëri të zhvilluara mirë.
- Pjesërisht ose tërësisht e ndarë barkushja e zemrës, që sjell një ndarje të gjakut arterial (i pasur me oksigjen) i cili vjen nga mushkëritë, nga gjaku venoz (i pasur me dioksid karboni) që vjen nga indet, gjë që sjell rritjen e sasisë së oksigjenit në inde dhe zhvillimin e një aktiviteti më të madh.
- Temperaturë e trupit e ndryshueshme me atë të ambientit ose heterotermi. Pra janë kafshë me gjak të ftohtë.
- Riprodhim seksual. Pllenimi te ky grup është i brendshëm. Pjellin vezë të mbuluara me levozhgë të fortë, brenda të cilave zhvillohet embrioni.
- Zhvillim i drejtë. Pasi mbaron periudha e zhvillimit embrional, lëvozhga e vezës çahet. Kafsha e re që del ngjan me kafshën e rritur.
Evolucioni gradual i zvarranikëve nga disa amfibë gjatë erës paleozoike, shënoi një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e vertebrorëve. Zvarranikët ishin vertebrorët e parë që jetonin në tokë duke u shkëputur tërësisht nga mjedisi ujor. Po ku qëndron sekreti? Përgjigja është tek prania e amniosit, që u shfaq për herë të parë pikërisht në vezët e zvarranikëve. Veza mbështillet nga lëvozhga, e cila edhe pse poroze pengon humbjen e ujit dhe mbron embrionin. Veza përmban disa membrana embrionale:
- Amniosi mbështjell embrionin duke formuar përreth një kavitet të mbushur me lëng amniotik i sekretuar nga vetë amniosi.
- Shtresa e jashtme e amniosit quhet korion dhe është e ngjitur pas lëvozhgës.
- Alantoidja është membranë e dyfishtë, e cila duke u trashur shndërrohet në një organ embrional që lejon thithjen, frymëmarrjen dhe eskretimin. Në enët e gjakut që përshkojnë alantoiden ndodh shkëmbimi i gazeve, thithet oksigjen dhe nxirret dioksid karboni.
- Trasta viteline. Gjatë zhvillimit embrional e verdha e vezës mbështillet nga një membranë që quhet trasta viteline.
SHPENDET
Shpendët e kan prejardhjen nga zvarranikët. Edhe sot zogjtë shfaqin gjurmë të prejardhjes së tyre nga zvarranikët si prania e luspave te këmbët dhe e thonjve ose kthetrave tek gishtat. Suksesi biologjik i shpendëve tregon se ata i janë përshtatur më mirë si fluturimeve ashtu edhe jetës në mjedisin tokësor dhe ujor, se sa zvarranikët fluturues nga edhe rrjedhin. Shpendi më i hershem konsiderohet Arkeopteriksi. Ai kishte trupin me pupla, bisht të gjatë e me pak vertebra, dhëmbë, krahë të vegjël me thonj në majën e gishtërinjve. Kishte skelet të ngjashëm me atë të një zvarraniku por disa kocka të ngjashme me ato të një zogu. Karakteristika të përgjithshme të shpendëve janë:
- Kanë trupin të mbuluar me pupla e me pendë.
- Kocka të lehta, poroze të mbushura me ajër.
- Gjymtyrët e përparme të shndërruar në flatra për fluturim.
- Trupi mbështetet në dy gjymtyrët e pasëm.
- Goja është shndërruar në sqep brinor pa dhëmbë.
- Zemra me 4 dhoma. Sistemi i qarkullimit të gjakut është i zhvilluar mirë. Kanë vetëm harkun aortik të djathtë.
- Temperatura e trupit konstante (38⁰C-42⁰C). Janë kafshe me gjak të ngrohtë.
- Vezë të pajisura me amnios, të mbështjella nga lëvozhga gëlqerore, të cilat përgjithësisht ngrohen dhe depozitohen në fole.
- Forma aerodinamike e trupit është përshtatur për të zvogëluar në minimum rezistencën e ajrit.
- Kanë muskuj shumë të zhvilluar.
- Kanë aktivitet metabolik dhe qelizor të lartë.
- Kanë aparat tretës shumë të zhvilluar, i aftë të tresë sasira të mëdha ushqimi për të zëvendësuar energjinë e humbur gjatë fluturimit.
- Aparati i frymëmarrjes përbëhet nga mushkëritë të lidhura me trasta ajrore dhe zgavrat e kockave.
- Qarkullimi i gjakut dhe eskretimi janë shumë të zhvilluar.
- Kanë tru shumë të madh i cili mbush gjithë kavitetin kranial. Është shumë i madh në krahasim me trupin për të kontrolluar më mirë aktivitetet jetësore.
- Kanë sjellje mjaft komplekse por edhe jetë shoqërore.
GJITARET (Mammalia)
Në krahasim me kafshët e tjera gjitarët përfaqësojnë format jetësore të shfaqura më vonë. Mendohen se gjitarët e kanë prejardhjen nga zvarranikët. Gjitarët edhe pse me një larmi formash trupore paraqesin disa tipare të përbashkëta:
- Trup të mbuluar me qime.
- Shumica janë viviparë (lindin të vegjël të gjallë).
- Ushqejnë të vegjlit me qumësht.
- Frymëmarrja bëhet me mushkëri gjatë gjithë jetës
- Diafragma muskulore ndan hapesirën torakale( të gjoksit) nga ajo abdominale (e barkut).
- Zemra ka 4 dhoma dhe harkun aortik të majtë.
- Janë kafshë me gjak të ngrohtë (homeotermi).
- Pjesa më e madhe kanë 7 vertebra në qafë.
- Pjesa më e madhe kanë dy çifte gjymtyrësh që shërbejnë për lëvizje.
- Truri përbëhet nga truri i madh dhe truri i vogël. Truri është shumë i zhvilluar.
Tre grupet kryesore të gjitarëve janë:
*Monotrematët-pjellin vezë, të vegjlit i ushqejnë me qumësht. Bëjnë pjesë ornitorinku, ekidna.
*Marsupialët-lindin të vegjël të pazhvilluar mirë. Zhvillimi i plotë përfundon në një xhep lëkuror (marsup) në pjesën barkore të nënës. Bëjnë pjesë kangurët, koalat (ose ariu marsupial) etj.
*Placentarët-95% e gjitarëve të sotëm janë placentarë. Kanë një strukturë komplekse, placentën, e cila lidh trupin e nënës me embrionin që zhvillohet në uterusin e saj. Ata lindin të vegjël. Ndër gjitarët më të njohur përmendim: insektngrënësit, kiropterët (gjitarët që fluturojnë), brejtësit, cetacet (gjitarët e ujit), mishngrënësit, thundrakët, primatët. Rendi i primatëve përfshin paramajmunët, majmunët dhe njeriun.
PRIRJET E EVOLUCIONIT TE KAFSHEVE:
- Një ndër ndryshimet kryesore për evolucionin e botës shtazore ka qenë zhvillimi dhe diferencimi i qelizave në inde, organe, aparate apo sisteme dhe rritja në madhësi nëpërmjet shtimit të numrit të qelizave.
- Evolucioni fillon me format asimetrike, vazhdon me simetrinë rrezore dhe përfundon me simetrinë dyanësore.
- Format e reja nuk kanë lindur nga një paraardhës por nga paraardhës të ndryshëm dhe nga format primitive të tyre. Ndryshimet në mjedis kanë çuar në ndryshime të trupit të gjallesave, pra kanë nxitur evolucionin e gjallesave.